Komentatori kroat: Shqiptarët, shitës akulloresh

19/08/2017 00:00

Ka qenë një surprizë e hidhur për kroatët supremacia e Skënderbeut në ndeshjen kundër Dinamos së Zagrebit, e vlefshme per “playoff”-in e Europa League.

Përveç befasisë së lojtarëve kroatë në fushën e lojës, në të tillë situatë është përfshirë edhe komentatori i televizionit kroat që trasmetoi ndeshjen HRT, Stjepan Balog. Në një moment, ai ka përmendur se shqiptarët nuk janë më ata që, sipas tij, ata i njihnin si shitës akulloresh dhe ëmbëlsirash. Ka mjaftuar kjo frazë që ndaj tij të vërshojnë reagime të shumta nëpër rrjetet sociale, gjë që e ka detyruar komentatorin që të kërkojë falje e të sqarojë gjtihçka nëpërmjet këtij e-mail-i në adresë të klubit korçar.

“Kam marrë shumë mesazhe nga shqiptarë të cilët janë të nevrikosur nga komenti im në ndeshjen Dinamo Zagreb-Skënderbeu. Nuk i kam shprehur ato fjalë në kontekstin e parë dhe nuk kam dashur të ofendoj popullin shqiptar. I kërkoj falje të gjithëve dhe nuk dëshiroj që fraza e gabuar të ndikojë në miqësinë e mirë mes dy popujve. Unë e di shumë mirë që shumë shqiptarë kanë luftuar për lirinë e Kroacisë”, thotë Balog.

Në këtë mënyrë është përpjekur gazetari kroat që të mbyllë gjithçka është keqkuptuar sipas tij, duke i lënë sërish rolin negativ gjyqtarit të ndeshjes, i cili, në sajë të gabimeve të tij, nuk lejoi Skëndërbeun të merrte atë që meritoi nga ai 90-minutësh.

Top Channel