Çështja kundër Polanskit, gjykata refuzon mbylljen e saj

19/08/2017 00:00

Një gjykatë në Los Anxheles refuzoi kërkesën për mbylljen e çështjes gjyqësore kundër regjisorit Roman Polanski, i akuzuar për përdhunim.

Ajo që bëri kërkesën ishte Samantha Geimer, e njëjta që sipas akuzës së vitit 1977 i ishte nënshtruar dhunës seksuale nga Polanski, kur ishte vetëm 13 vjeç. Geimer, tashmë 54 vjeç, i tha gjykatës se e kishte falur regjisorin polak dhe se donte ta linte pas krahëve ngjarjen. Por, gjykatësi vendosi se dëshmia e gruas ishte provë e dëmit të rëndë që i ishte bërë asaj dhe se Polanski duhej të përballej me drejtësinë.

Regjisori i famshëm u arratis në Francë pasi u akuzua se kishte droguar e më pas përdhunuar atëherë 13-vjeçaren, në vitin 1977.  Duke qenë sa ka shtetësinë franceze nuk mund të ekstradohet në vend. Në muajin qershor, Geimer i kërkoi gjykatës të pezullonte çështjen për hir të saj, por gjyqtari Skot Gordon vendosi të premten se nuk mund ta mbyllte atë vetëm sepse kjo do të ishte në interes të viktimës.

Vendimi vjen disa ditë pasi një grua tjetër deklaroi se ishte ngacmuar seksualisht nga Polanski në vitin 1973, kur ishte 16 vjeç. Në një reagim, avokati i regjisorit franko-polak tha se klienti i tij ishte zhgënjyer nga vendimi, por theksoi se ai nuk do të rikthehej në SHBA.

Top Channel