Kalinic kalon te Milani

19/08/2017 00:00

Telenovela e merkatos së kësaj vere për transferimin e Nikola Kalinic te Milani mbërrin në një fund pozitiv.

Skuadra kuqezi, që ka qenë autore e një prove fantastike në tregun e këtyre muajve të nxehtë, arriti më në fund të bindë Fiorentinën për të marrë futbollistin që shton kualitetin teknik te ekipi i San Siros.

Mungon tashmë vetëm zyrtarizimi, por akordi mes ekipit të Firences dhe kuqezinjve u arrit mbi bazën e një huazimi me të drejtë blerjeje për 25 milionë euro, duke përfshirë dhe bonuset. Nikola Kalinic priti i qetë tratativat nga pushimi i shkurtër në Kroaci dhe të hënën do të jetë në Milano për vizitat mjekësore dhe firmën mbi kontratë.

Pas një merkatoje të kaluar mes fishekzjarreve, Milani i dorëzon kështu trajnerit Montella xhevahirin e fundit që garanton gola. Mes shumë emrave, zgjedhja ra mbi Kalinic, por pavarësisht akordit me lojtarin, çmimi i kartonit zgjati tratativat deri në këtë pikë.

Ndërkohë, fanela me numrin 9 që sulmuesi mbante te Fiorentina, në dyqanet zyrtare është zëvendësuar nga emri i blerjes së re Xhovani Simeone, djali i trajnerit të njohur argjentinas.

Top Channel