Reali refuzon 75 milionë euro për Kovacic

19/08/2017 00:00

Shumëkush mund ta quajë një ofertë të ekzagjeruar për një talent që kurrë nuk u ngjit në pritshmëritë e duhura, por Juventusi e provoi.

Kampionët e Italisë kërkuan mesfushorin Mateo Kovacic për plot 75 milionë euro, por u përballën me refuzimin e Realit të Madridit për tu privuar nga një lojtar që gjithsesi nuk konsiderohet thuajse fare.

“Zonja e Vjetër” në kërkim të përforcimeve për t’iu përgjigjur ritmit të konkurrencës, kërkoi të vinte bast mbi ish-futbollistin e Interit. Shifra e ofruar ishte në përputhje me merkaton e çmendur të viteve të fundit, por “merengues” e refuzuan.

Trajneri i Realit, Zinedine Zidane e vendosi kroatin titullar në dy “Klasiket” e zhvilluara ndaj Barcelonës në Superkupën e Spanjës, por konkurrenca e madhe në kampin e “Los Blancos” mbetet e ashpër. Nuk përjashtohet një tentativë e re e Juventusit për 23-vjeçarin Kovacic, që duket se pëlqen rikthimin në Serinë A, justifikuar me një rol titullar.

Top Channel