Pas 12 ditë zvarritjesh nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, Parlamenti i Maqedonisë shkarkoi nga detyra Prokurorin e Përgjithshëm publik, Marko Zvërlevski, të konsideruar nga qeveria dhe shumica parlamentare si një individ joprofesional dhe i ndikuar politikisht nga pushteti i kaluar.

Me qëndrimin e tij flagrant, Zvërlevski nuk kishte ngritur asnjë procedurë hetimore për akuzat e drejtuara ish-zyrtarëve të lartë qeveritarë në lidhje me përgjimet telefonike në skandalin e përpara dy viteve.

Deputetët e mazhorancës, sipas VOA-s kanë duartrokitur në sallë kur u arrit largimi i kryeprokurorit. Plot 64 ligjvënës ishin pro shkarkimit të Zvërlevskit, të konsideruar nga pushtetarët e rinj si i afërm me VMRO-në dhe drejtuesit e saj.

Partia e Nikola Gruevskit vendosi të tërhiqej nga debati, sidomos pas një konsultimi me Komisionin për Pengimin e Korrupsionit, që kishte konstatuar se në këtë periudhë kur është caktuar data e zgjedhjeve vendore, nuk është i ligjshëm shkarkimi i prokurorit publik, as emërimi i kuadrove nëpër institucione, drejtori publike dhe administratë.

Deputeti Ilija Dimovski i VMRO-së kërcënoi kolegët e tij deputetë të shumicës se “do të përballeshin me pasoja ligjore, për shkak se sipas tij po shkelnin ligjin”.

Por kryeparlamentari Talat Xhaferi sqaroi se komentet e këtij komisioni nuk janë detyruese dhe se i vetmi institucion që mund ta rrëzojë një vendim të Parlamentit është Gjykata Kushtetuese. Largimi i Zvërlevskit mund t’i hapë rrugën Reformës në Gjyqësor, por ekspertët mendojnë se kjo do të marrë kohë, pasi shumë gjykatës ende janë nën ndikimin e VMRO-së.

Top Channel