U19, Bogdani shpall listën për miqësoret ndaj Gjeorgjisë

18/08/2017 00:00

Plot 25 futbollistë janë grumbulluar nga trajneri i Kombëtares së 19-vjeçarëve për impenjimin e dyfishtë miqësor, që kuqezinjtë do të zhvillojnë ndaj Gjeorgjisë.

Erion Bogdani ka preferuar të vlerësojë disa talente që po spikatin në Itali, si Kumbulla që aktivizohet me Veronën, Armand Rada i Interit apo Erald Lakti i Fiorentinës.

“Kemi grumbullimin për dy ndeshjet miqësore me Gjeorgjinë. Ekipi vjen pas dy turneve që ka zhvilluar në Itali. Gjeorgjia është një skuadër e mirë, pasi ka marrë pjesë në kampionatin europian të 19-vjeçarëve, që është zhvilluar pikërisht në Gjeorgji. Janë dy teste shumë të mira për ne, përpara sfidave kualifikueseve”, tha Erion Bogdani, trajner i U19-s.

Shqipëria bën pjesë në grupin 12 dhe në tetor do të sfidojë në kualifikueset e Europianit, përfaqësuese të tilla si Ukraina, Mali i Zi dhe Norvegjia.

“Shumica e lojtarëve do të jenë edhe në kualifikueset e tetorit dhe unë normalisht pres përgjigje nga futbollistët, pasi do të kemi dy ndeshje ndaj një skuadre shumë të mirë. Grupi për kualifikueset do të jetë ky, por mund të ketë edhe ndonjë afrim të ri”, shtoi më tej Bogdani.

Miqësoret ndaj Gjeorgjisë, të cilat do t’i shërbejnë trajnerit Bogdani për kualifikueset e muajit tetor, do të luhen në datat 30 gusht dhe 1 shtator në stadiumin “Loni Papaçiu” të Fierit.

Top Channel