“Twumps”, bari që vë në lojë presidentin amerikan

18/08/2017 00:00

Quhet “Twumps” dhe është bari më i ri që çelet në Londër, me një tematikë të mirëpërcaktuar: figurën e presidentit amerikan Donald Trump.

Ideatorët, Katy McGhie dhe Annie Hughes janë frymëzuar nga veprimet e shefit të Shtëpisë së Bardhë dhe polemikat që ai ngjall, për ta përdorur këtë lokal si vend grumbullimi të fondeve të bamirësisë.

Klientët mund të zgjedhin se cilit prej 4 organizmave të ndryshëm do t’i shkojnë paratë e tyre: “Marie Stopes International”, “Tell Mama”, “Kaleidoscope Trust” ose “The White Helmets”.

“Menduam se mënyra më e mirë për të tërhequr vëmendjen ishte të bënim diçka, të themi fyese, ndaj u frymëzuam nga apartamenti i Trump në Nju Jork. Më fyes se ai, s’ka!”, tha Annie Hughes, bashkëpronare.

Koktejet në meny përfshijnë uiskin “Kulla Trump”, “prosecco”-n “Marrëveshja e Parisit” dhe Margaritën “Muri meksikan”. Një pjesë e parave nga secila pije shkon për bamirësi.

E pyetur nëse e mendon sesi mund të reagonte Trump ndaj kësaj ideje, Annie përgjigjet: Mendoj se ka gjëra shumë të mëdha me të cilat të merret tani.

Ndërsa kolegia e saj, Katy McGhie nuk e përjashton mundësinë që presidenti amerikan ta gjejë kohën për të shkruar në “Twitter” mbi barin e tyre të veçantë.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel