Kreu i UEFA-s, Ceferin viziton Kosovën. Përjashton ligën rajonale

18/08/2017 00:00

Presidenti i “qeverisë” së futbollit europian, Aleksander Ceferin ishte në krye të një delegacioni të UEFA-s në vizitën e fundit zyrtare në Kosovë. Në fokus ishte infrastruktura e vendit, që së fundmi është bërë pjesë e institucioneve ndërkombëtare.

Ceferin përjashtoi idenë e ligës rajonale, ndërsa premtoi mbështetje të vazhdueshme për FFK-në.

“Ndihem shumë i privilegjuar që pata mundësi ta vizitoj Kosovën, si Federatë, dhe përgëzoj presidentin Vokrri për këtë angazhim. Këtu po shoh një vullnet për zhvillimin e futbollit. UEFA do të jetë mbështetëse e fortë dhe ne jemi të vetëdijshëm se, si Federatë e pranuar vonë, ju keni nevojë për shumë gjëra. Ne do të jemi gati gjithmonë t’u dalim në ndihmë për të ecur përpara”, tha Aleksander Ceferin, president i UEFA-s.

Presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri ka falënderuar presidentin Ceferin për vizitën, të cilën e konsideroi si historike dhe shumë domethënëse. Ai njohu kreun e UEFA-s mbi zhvillimin e futbollit, përparësitë dhe vështirësitë me të cilat po ballafaqohet Kosova.

Delegacioni i UEFA-s vizitoi stadiumin e Prishtinës, i cili po rinovohet për t’u përgatitur për ndeshjet ndërkombëtare. Presidenti Ceferin u shfaq i kënaqur me nivelin e punimeve, si dhe me cilësinë e ndërtimit.

Top Channel