Një njeri që ka humbur identitetin e që fshihet pas personazhit të famshëm të Elvis Presleyt, në kërkim të një jete tjetër, ndryshe nga ajo e kaluar në Ballkanin e trazuar.

“Elvis Walks Home” është filmi më i ri i regjisorit Fatmir Koçi, me skenar nga Jonathan Preece, me protagonistë Dritan Kastratin dhe Amos Zaharian, një film ku nuk ndodh shpesh që peshën kryesore të interpretimit ta mbajnë aktorët e vegjël, që në këtë film janë të shumtë.

Një film i realizuar në 3 gjuhë: anglisht, serbisht e shqip, me muzikë e montazh të punuar në Londër e Amsterdam, një prodhim që i afrohet realizimeve botërore, përkrah të cilëve edhe do të konkurrojë në kategorinë A, në Festivalin e Filmit në Montreal, i cili do të nisë më 24 gusht.

“Tema e emigracionit në Ballkan është shumë, shumë e ndjeshme. Unë nuk jam në gjendje të them se do të ketë paqe e vetëm paqe, por që konflikt ka dhe do të ketë në Ballkan. Në qoftë se nuk do të ketë konflikt me armë, një konflikt shpirtëror e një konflikt për t’u larguar nga kjo zonë e shoh përditë. Mbi 90% e të rinjve që unë kam pyetur, të paktën këto 4-5 vitet e fundit, thonë se duan të ikin. Nuk duan të ikin se e urrejnë këtë vend, duan të ikin sepse duan një mundësi”, thotë Fatmir Koçi, regjisor.

“Tema është universale, ndërsa është e fokusuar te rajoni ynë. Boshti është egoizmi i një njeriu që ka humbur identitetin. Ai do ta humbë identitetin në këtë kaos dhe nuk do të identifikohet me vuajtjen nga ka ardhur. Dikur kam ikur thotë prej lufte, nuk dua të kthehem më këtu”, tha më tej regjisori.

Për publikun shqiptar, “Elvis kthehet në shtëpi” do të shfaqet në kinema në muajin nëntor.

Top Channel