Ronaldo: Skualifikimi, një persekutim! Nuk mund të heshtja…

17/08/2017 00:00

“E kam të pamundur të qëndroj indiferent përballë kësaj situate. 5 javë!!! Më duket e ekzagjeruar dhe qesharake. Ky quhet persekutim! Falënderoj shokët e skuadrës dhe tifozët për mbështetjen”.

Ky është reagimi i Cristiano Ronaldos përmes rrjetit social “Instagram”, një koment për skualifikimin me 5 javë të vendosur pas ndeshjes së parë të Superkupës së Spanjës, të fituar 3-1 nga Reali i Madridit ndaj Barcelonës në “Camp Nou”.

Futbollisti portugez u ndëshkua me karton të kuq, pas ndëshkimit të dyfishtë me kartona të verdhë, por ajo që e dënoi më shumë CR7-n ishte pikërisht shtyrja që i bëri arbitrit De Burgos Bengoechea, menjëherë pasi pa kartonin e dytë të verdhë.

Lënia në fuqi e dënimit ndaj Cristiano Ronaldos do të thotë se ai do të mungojë në 4 javët e para të La Ligës, ndeshje që Reali do t’i luajë ndaj Deportivos, Valencias, Levantes dhe Real Sociedadit, përveç mungesës që nuk u ndje edhe aq shumë mbrëmjen e djeshme, në takimin e kthimit të Superkupës në “Bernabeu”, të fituar sërish nga “Los Blancos” 2-0.

Top Channel