Thaçi: Marrëveshje me Serbinë

17/08/2017 00:00

Shtypi gjerman po e ndjek me vëmendje të veçantë debatin që ndezi në Kosovë e Serbi eseja e botuar nga Aleksandar Vuçiç në mes të korrikut.

Presidenti serb kërkonte aty mbi të gjitha një ndryshim të mendësisë për Kosovën në Serbi, ndërsa objekt reflektimi janë edhe tezat e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiç. Ka qenë radha e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që ta prekte këtë çështje me një shkrim të botuar në “Frankfurter Allgemeine Zeitung” që mban titullin “Treni i fundit për paqen e qëndrueshme”.

Thaçi vëren se pas gjashtë vitesh negociatash mes Kosovës dhe Serbisë ka pasur vërtet progres, sidomos arritja e marrëveshjes së vitit 2013 për bazat e normalizimit të marrëdhënies, por “nuk është arritur një normalizim i plotë i marrëdhënieve”. Në artikull, kreu i shtetit të Kosovës kujton se të gjitha këto suksese të pjesshme janë të rëndësishme, por “nëse do të qëndrojmë tek kjo shpejtësi, shton ai, atëherë marrëdhëniet tona nuk do të jenë normale edhe pas 100 vjetësh”.

Problemin kryesor, Thaçi e gjen tek fakti që palët ende e shohin njëra-tjetrën si kundërshtare. Ne nuk mund të arrijmë ndonjë ujdi se ku do të shkojmë nëse kemi dallime themelore për atë se nga vijmë, shkruan ai. Si mundësinë e vetme për kapërcimin e mosmarrëveshjeve, ai konsideron një marrëveshje historike mes Kosovës dhe Serbisë, që përfshin njohjen e dyanshme.

“Arritja e këtij qëllimi është për të dyja vendet tejet i vështirë dhe kërkon lidership të guximshëm dhe inteligjent. Por, jam i bindur se lidershipi si në Kosovë edhe në Serbi synon që t’u ofrojë qytetarëve të vet atë që presin, pra të gjejnë paqen me njëri-tjetrin. Që kjo të ndodhë duhet të jemi kreativë dhe të gatshëm për të arritur kompromise të tjera”, shkruan Thaçi.

Në mbyllje të artikullit, Presidenti i Kosovës përmend edhe metaforën e trenit si simbol për të ardhmen. “Ne duhet të tregojmë kujdes që të mos e humbasim trenin e fundit për paqen e qëndrueshme”.

Top Channel