Vuçiç, debati për Kosovën. Komenti për nismën e “pajtimit historik me shqiptarët”

17/08/2017 12:00

Pas debateve një ditë më parë në Këshillin e Sigurimit mbi Kosovën, “Deutsche Welle” analizon apelet e Aleksandar Vuçiçit për dialog dhe “pajtim historik me shqiptarët”.

Disa e brohorasin si vizionar, thotë gjigandi mediatik gjerman, ndërsa kritikët dyshojnë se mos bëhet fjalë për një manovër taktike. Edhe pse posti i kreut të shtetit në Serbi është përgjithësisht simbolik, Vuçiç i ka dhënë atij një dimension tjetër.

Prej pesë vjetësh ka në duar frerët e pushtetit si shef i partisë së fuqishme të Përparimit, si zëvendëskryeministër, pastaj si Kryeministër e tani si President i shtetit. Njeriu që në vitet nëntëdhjetë shfaqej si nacionalist i ethshëm që sulmonte shqiptarët çdo ditë, kërkon sot ta zgjidhë përfundimisht këtë çështje.

Problemi për analistët është se Vuçiçi e çeli diskutimin pa ofruar një platformë dhe në Beograd po vrasin mendjen se si, kur, ku dhe përse do të flitet. Fjalën, sipas Presidentit, duhet ta marrin të gjithë aktorët, edhe Kisha Ortodokse tepër konservatore serbe. Dusan Janjiç, i Forumit të Beogradit për Marrëdhëniet Ndëretnike, mendon se në thelb thirrja e Vuçiçit për dialog nuk është gjë tjetër veçse një manovër taktike: “Krejtesisht sipas motos: ju pyeta, nuk thatë asgjë, pra unë edhe më tej do të vendos vetë, por përgjegjësinë do ta ndaj me ju”.

Pavarësinë e ish-provincës serbe Kosovë sot e njohin 111 shtete në të gjithë botën, por jo pesë anëtarë të BE-së dhe fuqitë me të drejtë vetoje në OKB, Rusia dhe Kina. Në Beograd kjo punë shihet në mënyrë të veçantë: pavarësia e Kosovës nuk duhet të njihet, ama realiteti duhet pranuar. Marrëveshja e arritur në vitin 2013 në Bruksel me qeverinë në Prishtinë parashikon kështu integrimin e plotë të Veriut të Kosovës të banuar kryesisht me serbë në Republikën e Kosovës, gjë që shumë vëzhgues e interpretojnë si njohje faktike.

Top Channel