Australi, e mbuluar në Senat (Foto)

17/08/2017 00:00

Ligjvënësit australianë mbetën pa fjalë kur Pauline Hanson, udhëheqësja e partisë së ekstremit të djathtë “One Nation”, hyri me perçe në sallën e Senatit.

Partia e saj po përpiqet me forcë ta ndalojë veshjen tradicionale myslimane në këtë vend dhe 63-vjeçarja e tregoi qartë se çfarë impakti mund të ketë ajo te të gjithë.

Por prokurori i Përgjithshëm, George Brandis e dënoi marifetin e saj dhe këshilloi më tepër kujdes, sepse veprime të tilla, – siç tha ai, – mund të përbëjnë fyerje për grupet fetare. Partitë e opozitës e duartrokitën fjalën e Brandis.

“Senatore Hanson, ne nuk do ta ndalojmë perçen. Tani unë po bëj sikur nuk e pashë këtë lojën tënde dhe hyrjen në sallë e mbuluar kokë e këmbë, në një kohë kur të gjithë e dimë fare mirë se nuk je ndjekëse e besimit Islam. Bëj shumë kujdes me ofendimet që mund të shkaktosh. Kemi rreth gjysmë milioni australianë në këtë vend, që besojnë te feja islame dhe shumica e tyre janë qytetarë të rregullt, të cilët zbatojnë ligjet me korrektësi”, tha senatori George Brandis, kryeprokuror.

Hanson, më pas e hoqi perçen.

“Jam shumë e kënaqur që po e heq këtë gjënë, sepse ajo nuk ka vend në Parlamentin tonë. Sa i takon sigurisë kombëtare, kujtoj se janë ekspozuar 13 komplote të tilla që na kërcënonin me terrorizëm. Tre kanë qenë të suksesshme dhe në to kanë humbur jetë australianësh. Unë dua ta kërkoj heqjen e perçes në emër të një numri të madh banorësh të këtij vendi”, tha Pauline Hanson, senatore.

Që prej zgjedhjes së saj në Parlament në vitin 1996, Hanson ka shkaktuar vazhdimisht polemika dhe në vitin 2016 u kritikua ashpër kur tha se Australia po kthehej nga myslimanët në një moçal.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel