“Game of Thrones”, gabimisht në transmetim

16/08/2017 00:00

Këtë herë nuk është dashur mundi antiligjor i piratëve kibernetikë, por ka mjaftuar një gabim trashanik i vet filialit të HBO-së në Spanjë, për të transmetuar aksidentalisht përpara kohe episodin e gjashtë të sezonit të shtatë të “Game of Thrones”, 4 ditë më herët nga ç’ishte parashikuar.

Episodi u raportua të ishte i disponueshëm për t’u parë “on demand” (kur të duash dhe ku të duash) për abonentët spanjollë për rreth një orë, përpara se të hiqej… Por mjaftueshëm sa për t’u rrëmbyer e për t’u shpërndarë anembanë botës.

Pamjet e episodit të ri u postuan në rrjetet sociale “Reddit”, “Youtube”, “Instagram”, “Twitch” e shërbime të tjera “streaming”, përpara se të zhdukej. Megjithatë, episodi i plotë duket se ka përfunduar në faqet e “torrent”-eve, shumë më shpejt nga përpjekjet e HBO-së për ta zhdukur linkun.

Britanikja “The Independent” garanton se një skedar i këtij episodi, i publikuar në faqen “Mega.nz”, është real e madje edhe HD.

Kjo nuk është hera e parë që seriali i famshëm i rrjetit HBO del përpara kohe. Një episod i sezonit të gjashtë u publikua nga filiali nordik i HBO-së, pak orë përpara se të transmetohej zyrtarisht.

E pavarësisht rrjedhjeve të episodeve, qoftë nga sulmet e “hacker”-ave, ashtu dhe nga gabimet trashanike, duket se HBO-ja ka regjistruar sërish shifra tejet të larta të shikueshmërisë. Vet rrjeti televiziv amerikan nuk ka komentuar mbi këtë gabim të fundit të filialit spanjoll.

Top Channel