Milan, Bacca huazohet te Villarreali

15/08/2017 00:00

Carlos Bacca nuk do të jetë lojtar i Milanit për sezonin e ri. Që prej ditës së hënë, kur sulmuesi kolumbian kishte mbërritur me 4 orë vonesë në Milanello, ishte dhënë sinjali se kolumbiani mund të rikthehej në La Liga, por këtë herë për të luajtur me Villarrealin e jo Sevillan.

Rikthimi tashmë nuk ka më pengesa, duke parë se edhe çështja e detajeve mbi formulën e transferimit është zgjidhur. Ish-sulmuesi me numrin 70 do të kalojë në formë huazimi për 2.5 milionë euro, me të drejtë blerjeje (jo detyrim siç pritej) në shumën prej 15.5 milionë eurosh.

Për futbollistin është gati një kontratë 3-vjeçare me opsion për të katërtin, me një pagë prej 3.2 milionë eurosh në sezon, pa përfshirë bonuset në rast të kalimit të shifrës së 15 golave të shënuar.

Bacca pritet të mbërrijë në Spanjë pas pak orësh dhe do të kryejë vizitat mjekësore përpara hedhjes së firmës mbi kontratë.

Top Channel