UEFA publikon finalistët për “Lojtari më i mirë i vitit”

15/08/2017 00:00

UEFA ka publikuar treshen e pretendentëve për çmimin e “Lojtarit më të mirë të vitit për sezonin 2016-2017” dhe, përveç Cristiano Ronaldos e Lionel Messit, bie në sy edhe portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon.

Trofeu do të dorëzohet të enjten e 24 gushtit në Montekarlo, ditën kur do të hidhet edhe shorti për fazën e grupeve të Champions League.

Tre finalistët janë përcaktuar nga një juri prej 80 trajnerë klubesh, që kanë marrë pjesë në fazën e grupeve të Championsit dhe Europa League në edicionin e kaluar, si dhe nga 55 gazetarë të grupit “European Sports Media”, si përfaqësues të federatave respektive në UEFA.

Por, rezultati përfundimtar do të dalë nga numri total i votave nga 32 trajnerët e edicionit të fundit të Championsit, të cilët e kanë të ndaluar të votojnë një lojtar të ekipit të tyre, si dhe nga gazetarët.

Në dhjetëshen e pretendentëve bënin pjesë edhe Modriç, Kroos, Sergio Ramos, të tre lojtarë të Realit; Dybala i Juventusit; Mbappe i Monacos; Lewandowski i Bayern Munchen; e Zlatan Ibrahimoviç i Manchester United.

Top Channel