Champions, akti i fundit përpara fazës së grupeve

15/08/2017 00:00

Champions League përgatitet të lërë pas krahëve aktin e fundit përpara se të hidhet shorti për të mësuar sesi do të ndahen ekipet pjesëmarrëse nëpër grupe.

Bëhet fjalë për fazën e “play off”-eve, ku ndër të tjera do të luajnë edhe Napoli e Liverpool. Nga sot e deri më 23 gusht do të zhvillohen 10 takimet e vajtjes dhe 10 të kthimit, që do të nxjerrin edhe 10 skuadrat e fundit që do të meritojnë një vend në fazën e grupeve, atë më të rëndësishmen kur nis vërtet Championsi.

E siç ndodh gjithmonë, takimi i parë nis nga Lindja. Pikërisht sot në orën 18, në Azerbajxhan, ekipi i Karabakut, ku aktivizohet edhe Ansi Agolli, do të presë danezët e Kopenhagenit, që edhe pse shihen si favoritë, vuajtën shumë gjatë turit të mëparshëm me Vardarin.

Në orën 20:45 luhen 4 takime të tjera, konkretisht APOEL-i i Nikosisë do të vihet përballë Slavias së Pragës, Sportingu i Lisbonës do të presë Steauan e Bukureshtit, Young Boys do të luajë ndaj CSKA-së së Moskës, por ndeshja ku do të fokusohen sytë e sportdashësve është ajo e Gjermanisë, ku Hoffenheim do të përballet me Liverpoolin e drejtuar nga një trajner gjerman si Jurgen Klopp.

Ish-trajneri i Dortmundit rikthehet në vendlindjen e tij, por këtë herë pa shërbimet e Coutinhos, i cili nuk është grumbulluar në pritje të qartësimit të të ardhmes së tij, pasi kërkohet nga Barcelona.

Ndërkohë, nesër luhen edhe 5 ndeshjet e tjera, që të gjitha në të njëjtën kohë, në orën 20:45. E gjithë vëmendja do të jetë e fokusuar në “San Paolo” të Italisë, ku Napoli do të presë Nicën, pa emrat e mëdhenj si Balotelli dhe Sneijder. Nica e drejtuar nga Lucien Favre e ka nisur keq kampionatin, por në turin paraardhës eliminoi Ajaxin e Amsterdamit.

Hapoel Beer Sheva i ka të gjitha mundësitë për të mbajtur gjallë shpresën “Champions”, teksa do të vihet përballë Mariborit të Sllovenisë. Shpresë ka edhe për Rijekën, edhe pse në Pire, kundër Olympiacosit të Besnik Hasit, nuk do ta ketë edhe aq të lehtë. Ndërsa në Turqi luhet një tjetër sfidë e fortë, me një emër të shquar tashmë në kupat e Europës. Basaksehiri i Sokol Cikalleshit do të presë spanjollët e Sevijës, me andaluzianët favoritë, por edhe mes turqve luajnë emra të njohur si Emre Belozoglu, Elia, Adebayor dhe Clichy.

Top Channel