Prishtina: Propozimet e Daçiç të rrezikshme dhe të papranueshme

15/08/2017 00:00

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj u është përgjigjur propozimeve të homologut të tij serb, Ivica Daçiç, i cili ndër të tjera ka hedhur idenë edhe për ndryshime kufijsh.

Në artikullin e publikuar të hënën në Beograd, Daçiç thotë se propozimet e tij janë të realizueshme dhe do t’i hapnin rrugën si Kosovës, ashtu edhe Serbisë drejt Bashkimit Europian.

Por Enver Hoxhaj nuk ndan të njëjtin mendim me Daçiç dhe reagimin e ka bërë përmes rrjeteve sociale.

“Kosova është një demokraci multietnike me kufij të qartë dhe të njohur ndërkombëtarisht që nuk do të ndryshojnë”, shkruan Hoxhaj.

Kryediplomati i Kosovës i cilëson si të rrezikshme idetë e hedhura nga Beogradi.

“Idetë e rinovuara të Serbisë për ndryshime kufijsh janë të rrezikshme dhe të papranueshme”,  shkruan ai.

Top Channel