Daçiç propozon ndryshime kufijsh: Koha për kompromis historik me shqiptarët

15/08/2017 00:00

Përmes një artikulli të publikuar në mediat serbe ditën e hënë, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç hedh një sërë propozimesh, që sipas tij do të zgjidhnin njëherë e përgjithmonë përplasjet mes Prishtinës dhe Beogradit.

E mes të tjerave, Daçiç propozon edhe ndryshimin e kufijve.

“Të gjithëve u duhet një zgjidhje e përhershme e konfliktit shqiptaro-serb dhe kjo zgjidhje mund të arrihet vetëm përmes një marrëveshjeje, ku secili do të fitonte dhe njëkohësisht do të humbte diçka”, shkruan Daçiç.

Kryediplomati serb, njëkohësisht edhe aleati kryesor i Presidentit Aleksandar Vuçiç, thotë se ka ardhur koha për një “kompromis historik”.

“Ndarje e qartë e kufijve, çfarë është shqiptare të jetë shqiptare dhe çfarë është serbe të vazhdojë të jetë serbe”, thotë ai.

Daçiç kërkon gjithashtu edhe ngritjen e një bashkësie të pavarur të manastireve serbe dhe këtu propozon modelin grek, e po ashtu edhe ngritjen e bashkësisë së komunave serbe. Ai thotë se këtu duhet të përqendrohen palët dhe se nuk ka më kohë për të humbur.

“Propozimi im është real dhe me interes të përbashkët si për serbet ashtu edhe për shqiptarët”, shkruan ai ndër të tjera.

Top Channel