Busquets: Barcelona ka nevojë për lojtarë

14/08/2017 00:00

Humbja në tempullin “blaugrana” ndaj rivalit më të ashpër në futboll e ka shtuar pakënaqësinë e tifozëve ndaj Barcelonës dhe trajnerit Valverde ende pa nisur mirë sezoni.

Disfata 3-1 ndaj Realit të Madridit sanksionoi “de facto” dhe fituesin e Superkupës së Spanjës dhe me përjashtim të mrekullive në Bernabeu, katalanasit duhet të dorëzojnë trofeun.

Largimi i Neymar ka lënë boshllëqe që mund të mbushen nga lojtarë të tjerë të nevojshëm. Afrimi i Paulinhos duket se nuk do të jetë i mjaftueshëm. Mesfushori Sergio Busquets pranon se Barcelona duhet të bëjë më shumë transferime, por këmbëngul se nevoja nuk është rritur nga humbja e tyre në ndeshjen e parë të Superkupës së Spanjës ndaj Real Madridit.

“Skuadra nuk ka nevojë për blerje të reja për shkak të këtij rezultati. Ne kemi nevojë për përforcime sepse kemi për t’i rinovuar gjërat. Është shumë e vështirë, por ne shkojmë në “Bernabeu” me qëllim që të rikthehemi në diskutim. Nuk kërkojmë justifikime”, tha mesfushori spanjoll.
 
Barcelonës do t’i duhet të fitojë 3-0 në Madrid për të marrë trofeun, por loja që treguan “merengues” në transfertë jep pak shpresa për tifozët “blaugrana”.

Top Channel