Kosova, ende pa udhëheqje. Shqetësim nga përfaqësitë diplomatike

14/08/2017 00:00

Kuvendi i Kosovës u mblodh për të katërtën herë radhazi në përpjekje për të zgjedhur udhëheqjen e re.

Në sallën e Kuvendit, sërish nuk ishin të pranishëm deputetët e koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës, si dhe ata të komuniteteve pakicë.

Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, deputeti Adem Mikullovci, që në fillim ka thënë se në mungesë të deputetëve do të shkohet në një pushim prej 15 minutash. Pas pushimit, deputeti Mikullovci thirri përfaqësuesit e partive politike në një takim konsultativ të mërkurën në orën 10:00.

Pa zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nuk do të mund të vazhdohet me asnjë procedurë tjetër rreth formimit të institucioneve. Përfaqësuesit e ambasadave të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara kanë thënë se janë të shqetësuar me gjendjen e krijuar në Kosovë, si pasojë e moszgjidhjes së institucioneve të reja.

“Ne jemi të shqetësuar për situatën politike që po vazhdon në Kosovë”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratën e 5 ambasadave të vendeve perëndimore në Prishtinë theksohet se, “është përgjegjësi e udhëheqësve të Kosovës formimi i këtyre institucioneve, por edhe për të bërë reforma të domosdoshme për parandalimin e një bllokade të tillë në të ardhmen”.

“Kosova ballafaqohet me shumë sfida në periudhë afatmesme dhe afatgjatë, përfshirë programin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, situatën energjetike, por po ashtu edhe nevojën për zhvillim ekonomik, forcim të sundimit të ligjit, perspektivën europiane dhe raportet e Kosovës me Serbinë”, thuhet në deklaratë.

Më tej shtohet se “është e rëndësishme që deputetët e zgjedhur në Kuvendin e Kosovës të marrin pjesë në seancat e Kuvendit dhe të lejojnë që ai të fillojë punën e vet”.

Top Channel