Kuvendi i Kosovës, të hënën përpjekja e radhës

13/08/2017 00:00

Të hënën, për të katërtën herë radhazi pritet të mbahet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit nga kryesuesi i seancës, deputeti Adem Mikullovci.

Seancat e kaluara dështuan pasi deputetët e koalicionit fitues të përbërë nga PDK, AAK dhe NISMA për Kosovën, që njihet me shkurtesën “PAN”, nuk ishin të pranishëm në sallën e Kuvendit për të propozuar kandidatin për kryetar.

Përfaqësuesit e koalicionit “PAN” kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë as në seancën e radhës, pasi kanë kërkuar konsultime shtesë. I nominuari për kryeministër nga koalicioni “PAN”, Ramush Haradinaj ka deklaruar ndërkohe se, gjatë 10 ditëve të ardhshme pritet që të konstituohet Kuvendi dhe më pas të formohet edhe qeveria e re.

Koalicioni “PAN” po synon të ketë mbi 61 vota, si për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ashtu edhe për qeverinë e re. Por, deri më tani ky koalicion nuk ka dëshmuar se ka një numër të mjaftueshëm votash.

Sipas Kushtetutës, “Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve”. Në këtë rast i takon Partisë Demokratike të Kosovës të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit të Kosovës.

Kadri Veseli, i cili është kryetari PDK-së, për Lëvizjen Vetëvendosje është kandidat i papranueshëm dhe, siç janë deklaruar përfaqësues nga ky subjekt, nuk do ta votojnë në asnjë rast.

Pa zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nuk do të mund të vazhdohet me asnjë procedurë tjetër rreth formimit të institucioneve. Në rast të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, më pas fillon faza prej 15 ditësh për formimin e qeverisë. Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, kjo e drejtë i takon koalicionit “PAN”, si fitues i zgjedhjeve. Për formimin e qeverisë janë të nevojshme të paktën 61 vota nga deputetët.

Top Channel