Bishtat e pafund të cigareve në plazhet greke dhe nëpër rrugë po shkaktojnë shqetësim mes njerëzve, që duan të mbrojnë ambientin dhe shëndetin e tyre.

Në një plazh, në një lagje jugore të Athinës, shumë pushues shihen teksa tymosin cigare, ndërsa i gëzohen detit dhe rrezeve të diellit. Disa prej tyre i hedhin bishtat e cigareve në rërë, e si rezultat ato janë të dallueshme në plazh, ngado.

“Bishtat e cigareve hidhen kudo dhe janë të dëmshëm për shëndetin e fëmijëve, ndotin ambientin dhe detin”, tha një turiste ruse.

Pirja e duhanit në vende publike është e ndaluar në Greqi dhe ligji kundër duhanit është në fuqi prej 7 vitesh. Sidoqoftë, vizitorët vazhdojnë të tymosin duhan dhe i lënë bishtat e cigareve nëpër plazhe.

Sipas Qendrës greke për Kancerin, rreth 22 miliardë bishta cigaresh, në total 3.500 tonë, janë lënë nga duhanpirësit në Greqi. Gjysma e tyre vetëm nëpër plazhe. Qendra u bën apel pushuesve të mos i hedhin bishtat e cigareve nëpër plazhe. Sidoqoftë, të paktë janë ata që i mbledhin mbeturinat dhe i hedhin nëpër kosha.

Top Channel