Atletika, Bolt dhe Mo Farah e mbyllin me dështime

13/08/2017 00:00

Të gjithë prisnin që njeriu më i shpejtë në planet t’i bënte një mbyllje dinjitoze karrierës spektakolare, por tifozët që shpresonin në medaljen e artë të xhamajkanit panë dështimin dhe dëmtimin e Usain Bolt në Londër.

Pas humbjes në garën e 100 metrave, sprintieri i dha lamtumirën atletikës me një dëmtim muskular në stafetën 4×100 metra, në Botërorin që po zhvillohet këtë muaj në Angli.

Një lamtumirë të tillë nuk do ta kishte imagjinuar asnjë, pasi Xhamajka ishte favorite në garën e stafetës, por Usain Bolt u shemb në pistë totalisht jashtë formës. Madje u mendua për më keq, kur asistenca i ofroi një karrige me rrota atletit rekordmen olimpik, por mesa duket Bolt e kishte më të dhimbshëm dëshpërimin për dështimin, sesa dhimbjen në muskuj.

Ndërkohë, klima në stadiumin olimpik të Londrës ishte shënjuar nga një përzierje emocionesh unike, në një mbrëmje që do të kujtohet gjatë. Para Bolt, nëj tjetër monument i atletikës, Mo Farah u mund në garën e 5.000 metrave, një disfatë epokale për atë që, ashtu si Bolt, e kishte garën e fundit në tartan.

Top Channel