Tirana ndalet nga Liria

12/08/2017 00:00

Nuk kishte asnjë gjurmë të ngjyrave bardheblu në fanelat e reja të Tiranës, në miqësoren e fundit të kryeqytetasve që u mbyll në barazim 3-3 ndaj Lirisë së Prizrenit.

90-minutëshi ndaj kosovarëve tregoi që përgatitjet e formacionit të Ze Marias janë në nivel të kënaqshëm, por priten të tjera dhurata nga merkatoja.

“Ishim paksa të lodhur pasi këto dy javë kemi zhvilluar përgatitjen atletike dhe deri sa na mbajtën këmbët skuadra luajti mirë. Provuam disa lojtarë të rinj dhe jemi në rrugën e duhur. Skuadrës iu bashkua Ederson dhe gjatë javës do të vijnë dhe dy ose tre lojtarë të tjerë. Me kaq merkatoja jonë është e mbyllur. Askush nuk ka firmosur dhe do të largohet, ndërsa për Dokën nuk di gjë, por shpresoj të qëndrojë. Nuk është fenomen, por mund të bëhet i rëndësishëm”, tha Ze Maria pas ndeshjes.

Ze Maria u tregua i kënaqur nga loja e kryeqytetasve, pavarësisht se këtë verë është privuar nga disa elementë cilësorë. Trajneri brazilian kishte përballë një njohje të vjetër të Superligës, si Bledi Shkëmbi, ish-mesfushori korçar që tani po lë gjurmët e tij te Liria e Prizrenit.

“Kisha pikëpyetje te disa lojtarë që kanë qenë të dëmtuar. I aktivizova pjesën e parë për të parë gjendjen që kishin, ndërsa në pjesën e dytë ndryshova dicka dhe mendoj se jam i kënaqur sidomos nga dëshira që kishin për të luajtur. Tirana për mua, edhe pse luan në Kategorinë e Parë, ka një ekip shumë të fortë”, tha Shkëmbi.

Në rolin e një orakulli, Shkëmbi rezervoi gjithashtu një parashikim optimist për Skënderbeun në Europa League. “Skënderbeu do të kualifikohet me Dinamon dhe do të hyjë në grupe, duke bërë historinë”, tha ai.

Përballja e parë e Lirisë së Prizrenit në Superligën e Kosovës do të jetë kundër Vllaznimit.

Top Channel