Gati Shkolla e Baletit, Veliaj: Ka ndryshuar si dita me natën

12/08/2017 00:00

Brenda pak ditësh përfundon rikonstruksioni i shkollës së Baletit ku 230 artistë të rinj me nisjen e vitit të ri shkollor do të studiojnë në një godinë moderne.

“Jam vërtet i kënaqur që kolegët e bashkisë punuan shumë fort gjatë gjithë verës, edhe në temperatura të larta, që të dilnim faqebardhë dhe teksa afron shtatori, të kemi një Shkollë Baleti që ndoshta ka cilësi edhe më të mirë se Liceu Artistik. Sigurisht, pas çdo pune, mësojmë se puna e radhës është akoma më e mirë. Kjo është ndoshta një nga të vetmet shkolla në Shqipëri e cila është e gjitha e kondicionuar, me foni të brendshme, me parket Harlequin dhe 6 salla kërcimi”, tha Veliaj.

Veliaj tha se Shkolla e Baletit ishte lënë në gjendje të mjeruar . “Mbaj mend ditën e parë kur nisëm punimet këtu, binte shi dhe i gjithë uji derdhej në parket. Sot është si dita me natën. Ne po bëjmë detyrën tonë dhe pastaj është detyra e mësuesve të talentuar, që talentin e këtyre të rinjve, ta çojnë më lart. Vetëm kur qyteti dhe shkolla bëjnë detyrën e tyre, besoj se realisht mund të jemi krenarë për këta të rinj sepse kemi dhënë edhe ne një kontribut modest”, tha më tej ai.

Por tashmë e rikonstruktuar, Shkolla e Baletit do të jetë edhe në funksion të komunitetit .  “Kemi ofruar një shkollë jashtëzakonisht dinjitoze, komuniteti gjithashtu ka përfituar një hapësirë e cila do të jetë për koncerte, për aktivitete, për shfaqje, që mund të përdoret gjithashtu edhe nga komuniteti në kohën e lirë dhe besoj i ka shtuar vlerën gjithë kësaj zone”, theksoi Veliaj.

Kryetari i bashkisë kërkoi mirëkuptimin e tregtareve të cilet duhet ta lirojnë hapësirën përreth shkollës .

“Perimetri i kësaj shkolle fatkeqësisht është kthyer në një hapësirë tregtimi rrobash të përdorura. Kjo nuk është dinjitoze, ndaj Policia Bashkiake do të bëjë detyrën e vet, por unë shpresoj shumë që do të kemi mirëkuptim që ata që shesin dhe tregtojnë në ambientet e Shkollës së Baletit, të kuptojnë që kjo është një shkollë, një institucion arsimor, dhe jo treg rrobash. Nëse duan treg, ai është vetëm 50 metra më larg, ndaj nuk e mirëkuptoj histerinë e atyre që sulmojnë Policinë Bashkiake. Vetëm duke respektuar secili hapësirën e vet mund të kemi edhe shkollë cilësore, edhe treg cilësor, edhe lagje cilësore. Kjo është ëndrra për Tiranën moderne”, u shpreh ai.

Top Channel