Rivalin e Skënderbeut e pret “ferri” i Rijekës

11/08/2017 00:00

Dinamo e Zagrebit konsiderohet një favorite absolute ndaj Skënderbeut në turin e “play off””-eve, në dy ndeshje që vlejnë një vend në grupet e Europa League, por edhe pse me më shumë financa dhe cilësi në skuadër, kroatët nuk do ta kenë të lehtë.

Para se të luajnë në stadiumin “Maksimir” ndaj skuadrës së vetme shqiptare të mbetur në Europë, ekipi i Zagrebit do të përballet me një provë force në stadiumin e Rijekës.

Interesimi i tifozëve ka qenë i jashtëzakonshëm për sfidën e së premtes, në stadiumin “Ruevica”, me vetëm 200 bileta të mbetura, të destinuara të shiten edhe ato para nisjes së sfidës. Dinamo e Zagrebit ka 3 fitore dhe një barazim, por një rezultat pozitiv me Rijekën do të krijonte klimën e duhur përpara Europës. Ky 90 minutësh është konsideruar një përballje me rrezik të lartë huliganizmi dhe policia e Rijekës ka angazhuar dhjetëra agjentë për të premten.

Pjesë e masave është edhe kufizimi i alkoolit në të gjitha ambientet pranë stadiumit. Për Dinamon e Zagrebit, ndërkohë, është rikthyer dhe mesfushori me origjinë shqiptare Arijan Ademi.

Ky i fundit u pezullua me dy vite, pasi rezultoi pozitiv me doping, por nuk do të mund të luajë ndaj Skënderbeut më 17 Gusht. Arijan Ademi do të mund të luajë një ndeshje zyrtare në tetor, edhe pse është stërvitur me ekipin e Dinamos dhe së fundmi iu rezervua një pritje e bukur nga tifozët dhe lojtarët.

Top Channel