Para Milanit, Shkëndija ka një test force kundër Vardarit

11/08/2017 00:00

Shkëndija ka koleksionuar një tjetër vit historik me përfaqësimin e saj europian. Si kurrë më parë, për të dytin vit me radhë skuadra arrin të hyjë në fazën e “play off”-eve për në grupet e Europa League.

Vitin e kaluar, nga Shkëndija u eliminuan Cracovia e Polonisë, Neftchi i Azerbajxhanit dhe Mlada Boleslavi i Çekisë. Ndeshja me Gentin e Belgjikës ishte pika më e lartë që Shkëndija kishte prekur ndonjëherë në Europë, dhe eliminimi nga një ekip që më vonë kaloi grupet, e më tej eliminoi edhe Tottenhamin që garonte për titullin e kampionit në Premier League, nuk mund të quhej dështim.

Këtë vit, “kuqezinjtë” lanë pas vetes Daçia Chisinaun e Moldavisë, Helsinkin e Finlandës dhe së fundmi Trakain nga Lituania. Shorti për fazën e “play off”-eve i rezervoi Shkëndijës 7 herë fituesin e Champions League, Milanin, mjaftueshëm për të shtuar jehonën e klubit shqiptar në rang ndërkombëtar.

Por, përpara “djallit”, “kuqezinjtë” shqiptarë nga Maqedonia kanë një tjetër test force. Në fundjavë fillon sezoni i ri në Ligën e parë të futbollit të Maqedonisë, e Shkëndija, në takimin e parë si vendase në Tetovë do të përballet me Vardarin e Shkupit. Një ndeshje e rëndësishme, para një publiku të etur të shohë nga afër ekipin që po shkëlqen në Europa League.

Ndërkohë, për tifozët shqiptarë ka nisur edhe shitja e biletave për ndeshjen e kthimit të “play off”-eve të Europa League, më 24 gusht në Shkup kundër Milanit. Shitja e biletave fillimisht nisi “online” si dhe në dyqanet në Tetovë, por në ditët në vijim pika shitjeje do të hapen edhe në Shkup, Tiranë e Prishtinë.

Top Channel