Kukësi siguron portën. Koliçi rinovon me kampionët e Shqipërisë

11/08/2017 00:00

Pas eliminimit nga Champions League, Enea Koliçi e cilësoi të përfunduar aventurën e tij me Kukësin. Ofertat joshëse, por mbi të gjitha paraqitjet e mbrojtësit ekstrem të verilindorëve i shtuan oreksin për të provuar një aventurë të re jashtë vendit.

Por pas shumë përplasjeve me drejtuesit, portieri titullar vendos të rinovojë me ekipin e presidentit Safet Gjici. 31-vjeçari ka gjetur gjuhën e përbashkët me klubin e Kukësit dhe ka hedhur firmën në kontratën e re me verilindorët.

Koliçi u shpreh mjaft i kënaqur që do të zgjasë aventurën me kampionët e Shqipërisë, e nuk përmendi problemet me drejtuesit që vazhdonin prej javësh.

“Jam shumë i kënaqur që rinovova me Kukësin. Më vjen mirë që gjeta gjuhën e përbashkët me klubin dhe presidentin Safet Gjici. Do të bëj maksimumin për klubin dhe do të punoj fort për plotësimin e objektivave të tjera. Dua që të fitoj të gjithë trofetë e mundshëm për këtë sezon. Nuk kam biseduar ende me trajnerin Mladen Milinkoviç, por me Luftëtarin ka bërë mjaft mirë dhe jam i sigurtë se edhe me ekipin e Kukësit do të bëjë po aq mirë. I kam ndjekur zhvillimet në skuadër dhe mendoj se janë bërë disa afrime mjaft të mira”, tha portieri pogradecar.

Portieri Koliçi do të përfitojë thuajse 5.000 euro në muaj nga akordi i përmirësuar me Kukësin, skuadër në të cilën shpreson të fitojë sërish titullin, këtë herë me Milinkoviç në pankinë.

Top Channel