Nepal, fund traditës shekullore

10/08/2017 00:00

Ligjvënësit në Nepal miratuan një ligj që e kthen në krim, praktikën e dëbimit të femrave nga shtëpitë e tyre gjatë ciklit menstrual.

Sipas ligjit të ri, kushdo që detyron një femër të respektojë këtë traditë të vjetër përballet me 3 muaj burg dhe një gjobë prej 30 dollarësh.

Kjo praktikë, që në Nepal njihet si “Chhaupadi” dhe që respektohet në zonat rurale prej shekujsh, u kritikua ashpër së fundmi, pasi dy ferma ndërruan jetë ndërsa qëndronin në kasollet e ndërtuara enkas pranë banesave, ku kalonin ditët e ciklit menstrual.

Autoritetet në Nepal thanë se ligji do të hyjë në fuqi pas një viti, kohë gjatë së cilës do të zhvillohet një fushatë sensibilizuese në zonat rurale, për t’i informuar banorët mbi ndëshkimin që do të pësojnë nëse i detyrojnë femrat të respektojnë këtë traditë të turpshme.

Sipas praktikës së lashtë hindu, femrat që po kalojnë periodat apo që sapo kanë lindur shihen si të papastra apo që sjellin fat të keq. Për këtë arsye dëbohen nga shtëpitë për ato ditë dhe nuk lejohen të prekin bagëtinë, meshkujt apo të konsumojnë disa lloje ushqimi.

Aktivistët në Nepal e përshëndetën ligjin e ri që ndalon këtë praktikë, por thanë se autoritetet duhet ta zbatojnë atë, përndryshe s’ka asnjë kuptim.

Top Channel