F1, sporti që xhiron miliona

10/08/2017 00:00

Formula 1 vazhdon të konfirmohet nga viti në vit si një kategori sportive që xhiron miliona, e në ruletën e kontratave të majme, sponsorizimeve dhe të drejtave televizive përfitojnë sidomos drejtuesit.

Pak rëndësi ka nëse “cirkusi” drejtohej nga Bernie Ecclestone dhe tani është në duart e grupit “Liberty Media”, pasi bonuset për fitimet janë të majme.

Presidenti i kompanisë që zotëron të drejtat e Formulës 1, Greg Maffei pranoi se edhe paga e administratorit të deleguar është e lidhur me arkat e F1, por pa zbuluar detaje të kontratës së Çejs Keri.

Që kur në bordin drejtues pati ndryshime me të drejtat komerciale, të apasionuarit pas garave vërejnë ndryshime çdo ndalesë të Formulës 1.

Nga muaji prill deri në qershor të këtij viti, “Liberty Media” arriti të fitonte 616 milionë dollarë, një rritje me 3% krahasuar me epokën e britanikut Ecclestone. Por sidoqoftë, shpenzimet operative u rritën duke ulur fitimet. Bilanci zbriti nga 90 në 45 milionë, diçka që drejtuesit e Formulës 1 kanë premtuar se do ta përmbysin shpejt.

“Nuk kemi ndërmend të publikojmë kontratën e Çejs Keri, por fitimet e tij janë të lidhura me rendimentin e Formulës 1. Kostot e grupit tonë do të rriten, pasi do vazhdojmë të punësojmë njerëz dhe të bëjmë investime në sektorë promocionalë, si rasti i Londrës, apo zhvillimi i teknologjive dixhitale”, tha presidenti Maffei.

Top Channel