Baloteli dhe Shnajder, “bllofet” e Nisës në Champions

10/08/2017 00:00

Kur shorti i Ligës së Kampioneve vendosi përballë Napolin me Nisën, te skuadra e Serisë A nuk pati entuziazëm.

Formacioni i trajnerit Favrë ishte më i forti mes atyre të mundshëm për napoletanët, bindje që u forcua me firmën e Uesli Shnajder.

Por, lajmet më të fundit nga riviera franceze tregojnë problemet fizike të futbollistëve më të njohur të Nisës. Italiani Baloteli dhe holandezi Uesli Shnajder mund të mungojnë të paktën në përballjen e parë të Champions League.

“SuperMario” u dëmtua në paraeliminatoret ndaj Ajaksit dhe po vuan ende një problem muskular në kofshë. “Do të mungojë në ndeshjen ndaj Trua në kampionatin francez këtë fundjavë, por me të gjitha gjasat edhe kundër Napolit. Baloteli ka nevojë për përgatitje që të futet në skuadër”, tha trajneri i Nisës.
 
Për Uesli Shnajder diskutimi është i ndryshëm. Mesfushori holandez nuk është i dëmtuar, por ka patur një boshllëk në fazën përgatitore dhe kushtet e tij fizike u dukën në stërvitje. Trajneri Favrë tha se për Shnajder do të duhen 2-3 javë që të luajë një ndeshje të plotë.

Top Channel