Bakaj firmos me Kukësin: Fitojmë kampionatin dhe kupën

09/08/2017 00:00

Dalja e padrejtë nga liga e kampioneve shkaktoi një efekt negativ te Kukësi me largimin e disa futbollistëve në fundin e kontratës si dhe ndryshimet në pankinë. Por kampionët e Shqipërisë e kanë përmirësuar organikën me një lojtar cilësor si Elis Bakaj.

“Të luash me një ekip si Kukësi që ka bërë diferencën në futbollin shqiptar në vitet e fundit, si në Europë ashtu edhe në kampionatin shqiptar, nuk ishte aspak e vështirë për mua ta zgjidhja. Është e vërtetë që kam pasur bisedime edhe me klube të tjera, por kjo është një e kaluar. Nuk më intereson kjo për momentin. Më intereson që jam pjesë e klubit kampion të Shqipërisë”, u shpreh Bakaj.

Kjo është hera e dytë që Bakaj firmos me Kukësin, por në kontrast me 2014 kur nuk mori dot lejen e UEFA-s, këtë radhë 30-vjeçari shpreson të përfundojë sezonin dhe të rinovojë dhe një vit siç i lejon kontrata.

“Ramë dakord me presidentin Gjici, por nuk ishte faji jonë që nuk erdhi kalimi nga Ukraina. Ekipi ka synime të qarta, fitimi i kampionatit dhe i Jupës së Shqipërisë dhe unë jam i gatshëm për këtë sfidë”, tha Balaj.

Ndërkohë Kukësi mohoi konfliktin me portierin Enea Kolici, duke i faturuar mungesën e gardianit, një lejeje të dhënë nga drejtuesit për një lojtar që kërkohet nga ekipe jashtë vendit. Mbetet e paqartë situata për mesfushorin Izair Eminiq ë ka nisur stërvitjen me Shkëndijën edhe pse kampionët pretendojnë se e kanë ende nën kontratë.

Top Channel