Dinamo-Skënderbeu, optimizëm për surprizën në Zagreb

08/08/2017 00:00

Skuadra e vetme shqiptare e mbetur në kupat Europiane, Skënderbeu do të synojë një surprizë të bukur në sfidën e parë të “play off” ndaj Dinamos së Zagrebit.

Në kampin korçar ka optimizëm për të rrëmbyer të paktën një barazim që do të ishte me shumë vlera në stadiumin “Maksimir”, edhe pse dalmatët janë një ekip me histori, dhe buxhet të fuqishëm, që janë protagonistë në grupet e Champions apo Europa League.

Skënderbeu vijoi me seancën stërvitore të programuar këtë të martë, dhe deri më tani nuk ka probleme me dëmtimet apo pezullimet. Në ndeshjen e dytë mund të penalizohen Radas dhe Vangjeli, gjithmonë nëse këta të fundit marrin karton në ndeshjen e parë ndaj Dinamos së Zagrebit.

Ndërkohë qeveria e futbollit europian ka përcaktuar zyrtarisht edhe oraret e përballjes së dyfishtë të “Ujqërve të Dëborës”. Transferta e vështirë në Zagreb ndaj Dinamos vendase do të luhet në 17 gusht në stadiumin “Maksimir” në orën 19:00. Ndërkohë kthimi që do të sanksionojë kualifikimin, luhet në stadiumin “Elbasan Arena” dhe do të fillojë në orën 20:00, mbrëmjen e 24 gushtit.

Top Channel