Futbolli, çfarë vere! 3 mld euro shpenzime

08/08/2017 00:00

Vera e vitit 2017 me shumë mundësi do të jetë ajo më e zjarrta në merkaton e transferimeve në futboll.

Deri tani në 5 kampionatet më të rëndësishme të futbollit evropian janë bërë shpenzime marramendëse me klubet që në total kanë arritur vlerën e 3 miliardë Eurove të nxjerra nga arkat e tyre.

Në krye qëndron padyshim Premier League me 1 miliardë Euro të shpenzuara për blerje lojtarësh. Futbollistët që kanë kushtuar më shumë në Angli janë Lukaku e Morata për të cilët Manchester United e Chelsea shpenzuan respektivisht 85 dhe 80 milionë Euro. Por nuk kanë mbetur pas Arsenali e Manchester City me blerjet e Lacazette, Walker dhe Mendy.

Serie A është kampionati i dytë që ka shpenzuar më shumë; 704 milionë Euro. Në futbollin italian rolin e protagonistit absolut e mori pikërisht Milani që ka shpenzuar 133 milionë Euro për të sjellë në Milano Bonuccin, Andre Silvën, Franck Kessie dhe Andrea Contin.

Në Francë, shifra e derdhur është 533 milionë Euro dhe nga këto, 222 milionë kanë shkuar vetëm për blerjen e kartonit të Neymar, ndërkohë që transferimi i dytë më i shtrenjtë në këtë kampionat ësgtë ai i Tielemans te Monaco për 25 milionë Euro.

Në Gjermani, shifra e shpenzuar është 471 milionë Euro dhe këtu pjesën e luanit e mban Bayerni i Mynihut që ka shpenzuar 82.5 milionë Euro për blerjen e 3 futbolluistëve; Tolisso, Coman dhe Sule. Nuk ka qenë kaq aktive Liga spanjolle deri në këtë moment. 365 milionë Euro është shifra e shpenzuar nga klubet iberike ku në krye  është Reali i Madridit që deri tani ka shpenzuar 71 milionë Euro për blerjen e Vincius e Theo, ndërkohë që rivalët e Barcelonës kanë shpenzuar 30 milionë Euro për Semedon.

Top Channel