Sfida me Lihtenshtejnin, risi në shitjen e biletave

08/08/2017 00:00

Ndeshja e radhës e kualifikueseve të Botërorit 2018 e kombëtares shqiptare do të jetë ajo me Lihtenshtejnin.

Është sfida e parë që skuadra jonë përfaqësuese do të luajë nën drejtimin e trajnerit Christian Panucci, i cili do të kërkojë ta nisë në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e tij në pankinën kuqezi.

Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të ditur se tashmë ka nisur shitja e biletave për këtë përballje, shoqëruar edhe me disa risi që mund të lehtësojë të gjithë të interesuarit.

Për herë të parë FSHF aplikon masën e uljes së çmimit të biletës me 20% për javën e parë deri në 14 gusht.

Tribuna B3=8.000 lekë
Tribuna B2 + B4=6.400 lekë
Tribuna A1 + A4=6.400 lekë
Tribuna B1 + B5=4.800 lekë
Tribuna E=2.400 lekë
Tribuna D=1.600 lekë
Tribuna G1=1.200 lekë
Tribuna G2=800 lekë

Në të njëjtën kohë, Federata Shqiptare e Futbollit u jep mundësinë tifozëve që bashkë me biletën e ndeshjes me Lihtenshtejnin të sigurojnë edhe atë ndaj Italisë së Giampiero Venturës.

E reja e fundit e aplikuar nga FSHF për procesin e shitjes së biletave është se çdo tifoz, me cilëndo biletë të marrë nga opsionet e mëparshme mund t’i marrë në dyqanin zyrtar të FSHF me një reduktim të çmimit në masën 50%.

Sfida mes Shqipërisë dhe Lihtenshtejnit do të luhet stadiumin “Elbasan Arena” më 2 shtator, në orën 18:00.

Top Channel