Viets: Kosova rrezikohet nga një ngërç politik afatgjatë

08/08/2017 00:00

Për ambasadoren gjermane në Prishtinë, Angelika Viets, kriza politike në Kosovë është pasojë edhe e armiqësive të vjetra e egoizmave partiakë.

“Kjo situatë të kujton shumë atë të verës 2014. Edhe atëherë kishim zgjedhje të parakohshme, por në thelb konflikti është më i vjetër. Ai të kthen pas në vitin 1999, ndoshta edhe më parë, përballë njëra-tjetrës qëndrojnë parti të armiqësuara, individë të armiqësuar me njëri-tjetrin, kjo e bën shumë të vështirë dhënien e recetave për një zgjidhje. Kriza në zgjedhjet e fundit në 2014-n nuk u kapërcye”, ka deklaruar Viets në një intervistë për “DW”.

Ambasadorja thotë se, partitë janë të interesuara kryesisht për ruajtjen e pushtetit dhe persona të caktuar që veprojnë, janë jo pak të interesuar edhe për atë se çfarë do të ndodhë me ta.

“Shumë kanë frikë edhe nga ndjekja penale nëse nuk janë në pushtet. Kemi një situatë pakti tani dhe madje rrezikohet një stanjacion i gjatë. Partitë deri më tani nuk ia kanë dalë të bien dakord për një axhendë kombëtare me konsensus”, ka thënë Viets.

“Janë egoizmat ato që i pengojnë politikanët për të menduar në radhë të parë për fatin e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kjo është një luftë për pushtet e përcaktuar nga egoizmat”, ka vijuar ajo.

E pyetur nëse pret daljen nga kriza ditën e enjte, kur do të zhvillohet seanca e re parlamentare, ambasadorja shprehet skeptike.

“Jo, nuk pres. Edhe nëse në ditët e javët e ardhshme do të arrihej shumica qeverisëse, pra 61 deputetët që janë të nevojshëm, kjo do të ishte një qeveri jo e stabilizuar, saqë shpesh edhe kuorumi në Parlament nuk do të arrihej. Pra, do të jetë e vështirë edhe miratimi i një ligji normal që kërkon vetëm shumicë të thjeshtë”, ka shtuar Viets.

Top Channel