Çiklizmi humbet një figurë të shquar. Tërhiqet Contador

07/08/2017 00:00

Alberto Contador i jep lamtumirën çiklizmit. Dy herë fituesi i Turit të Francës iu drejtua rrjeteve sociale duke publikuar një video, ku bënte të ditur vendimin e tij që befasoi jo pak, duke qenë se ai pritej të merrte pjesë në “Giro d’Italia” të vitit 2018.

“Nëpërmjet kësaj videoje dua t’iu informoj se Turi i Spanjës do të jetë aktiviteti i fundit në karrierën time, – shprehet Contador. – U mendova shumë për të marrë këtë vendim. Për mua, pjesëmarrja në një kompeticion që zhvillohet në vendin tim është mënyra më e mirë për të mbyllur karrierën. Jam i bindur se do të jenë 3 javë të mrekullueshme. Shihemi më 19 gusht”.

Alberto Contador ka një karrierë të pasur sportive. Spanjolli u bë profesionist në vitin 2003 dhe është një ndër 6 çiklistët që i ka fituar të tre turet e mëdhenj: Xhiron e Italisë në vitet 2008 e 2015, Turin e Francës në vitet 2007 e 2009, si dhe Turin e Spanjës në vitet 2008, 2012 e 2014.

I mbiquajtur “El pistolero”, Contador me të drejtë është cilësuar si një prej çiklistëve më të mirë të brezit të tij dhe një ndër më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave.

Contador është një çiklist i kompletuar që spikat në terrenet ngjitëse dhe në kronometër individual, duke qenë një protagonist absolut në këtë sport në dekadën e fundit. Në moshën 34-vjeçare vendosi t’i thotë mjaft garimit, një vendim që u mor edhe për faktin së në Turin e Francës së këtij viti ai u rendit i nënti, me 9 minuta më shumë sesa fituesi Chris Froome.

Top Channel