Wenger: Disa lojtarë do të largohen nga Arsenali

07/08/2017 00:00

Arsene Wenger ka pranuar faktin se Arsenali mund të largojë disa futbollistë, përpara se merkatoja e transferimeve të kësaj vere të mbyllet.

Trajneri francez i “topçinjve” të Londrës, i cili gjatë kësaj periudhe ka shpenzuar më shumë kohë duke shuar zërat e largimit të Sanchez dhe Ozil, deklaroi se ajo që dëshiron është një konkurrencë e shëndetshme në skuadër, por për këtë duhet të reduktojë disi numrin e lojtarëve që ka në dispozicion.

Radhët e Arsenalit janë shtuar me ardhjen e Lacazette dhe Kolashinac, që deri tani kanë lënë përshtypje të mira, gjë që shtyn Wengerin të mendojë për largime të mundshme nga ekipi.

“Që të jem i sinqertë, numri i futbollistëve në skuadër është më i lartë se ç’duhet”, tha Wenger pas fitores në Superkupën e Anglisë. “Ne do të lejojmë disa lojtarë që të largohen”, shtoi më tej ai.

Arsenali ka larguar tashmë Szczesny, Sanogo dhe Martinez dhe shembullin e tyre duket se do ta ndjekë edhe Lucas Perez.

Top Channel