Superkupa e Europës, trajnerët në dilemat e fundit

07/08/2017 00:00

Reali i Madridit dhe Manchester United do të vihen përballë njëri-tjetrit këtë të martë, për të diskutuar trofeun e Superkupës së Europës.

Trajnerët e skuadrave fituese të Champions League dhe Europa League kanë filluar tashmë të mendojnë për futbollistët që do të zbresin në fushën e lojës, për fronin e “Mbretit” të kontinentit të vjetër.

Për finalen që do të luhet në Shkup, trajneri Zidane ka vendosur që të përdorë të njëjtin formacion si në finalen e 3 qershorit ndaj Juventusit, me përjashtim të Cristiano Ronaldos, i cili është lënë pushim për të fituar ritmin. Në këtë pikë, i vetmi dyshim për Zidane është zgjedhja mes Bale dhe Asensios, me këtë të fundit që ka fituar shumë pikë me paraqitjen e bërë gjatë fazës përgatitore.

Përsa i përket Manchester United, trajneri Mourinho ka më shumë dyshime, kjo edhe për faktin se ai nuk do të ketë në dispozicion 3 lojtarë si Bailly, Jones dhe Rojo. Ideja e trajnerit portugez është që të aplikojë një skemë me 5 mbrojtës, diçka që ai e provoi edhe në ndeshjen miqësore me Sampdorian. Në mesfushë, luzitani duhet të zgjedhë mes Fellainit apo blerjes më të re, Nemanja Matiç. Përsa i përket sulmit, së bashku me Lukakun pritet të jenë edhe Rashford e Mkhitaryan.

Top Channel