Studimi në La Liga: Messi, lojtari më i mirë në histori

06/08/2017 00:00

Lionel Messi është futbollisti më i mirë në historinë e kampionatit spanjoll.

Ky është përfundimi i një studimi të kryer nga qendra spanjolle e Historisë dhe Statistikave në Futboll i kryer në bazë të një sërë koeficienteve duke nisur nga minutat e luajtura në ndeshjet e çdo kampionati, golat e shënuara nëpërmjet aksioneve, me penallti apo autogolat, si dhe ndëshkimet me karton të kuq.

Deri tani janë zhvilluar 86 edicione të La Ligës dhe në total janë aktivizuar 9280 futbollistë nga të cilët 854 kanë qenë portierë.

Sipas këtij studimi rezulton se Messi është në vendin e parë në shumë aspekte dhe këtu përmendet fakti se 30 vjeçari është i vetmi që ka kaluar dukshëm kuotën e 300 golave në La Liga, në fakt ka 349 gola të shënuar.

Përllogaritjet tregojnë se Messi ka grumbulluar 545 pikë duke lënë pas legjendën e Realit të Madridit, Raul Gonzales me 528 pikë e Cesar me 524. Rivali i Lionel Messit, Cristiano Ronaldo renditet vetëm në vendin e 17 me 415 pikë, me luzitanin që është shënuesi i dytë më i mirë në historinë e Ligës Spanjolle me 285 gola.

Top Channel