Moto GP, Marc Marquez triumfon në Çeki

06/08/2017 00:00

Marc Marquez fiton Çmimin e Madh të Republikës Çeke në Moto GP. Ky ishte suksesi i tretë sezonal për kampionin në fuqi të Botës i cili u shkëput akoma edhe më shumë nga ndjekësit më të afërt në klasifikimin e përgjithshëm.

Nëse vazhdon me këto ritme Marquez do të shkojë drejt fitimit të një tjetër titulli Botëror në klasin mbretëror të garave me motorë. Në Brno ishte një dominim i Repsol Hondas sepse i dyti u pozicionua shoku i skuadrës së Marquez, Daniel Pedrosa, ndërsa podiumi u kompletua nga Maverick Vinales.

Vetëm vendi i 4-t për Valentino Rossin i cili gjithsesi duhet përgëzuar për përmbysjen e çmendur që realizoi.

Në fakt gara nisi në malore për Marquez i cili humbi 9 pozicione që në start por spanjolli u tregua i zgjuar pasi ndryshe nga rivalët e tij hyri shumë shpejtë në bokse për të ndërruar motorin dhe për t’i hipur atij me goma slik për t’u ambientuar menjëherë me pistën duke nxjerrë më të mirën nga potenciali i tij.

Marquez arriti të rimerrte kreun për një podium të gjithin spanjoll ndërkohë spektakël dhuroi Valentino e cili edhe pse hyri me vonesë në bokse për të ndërruar motorin rikuperoi shumë pozicione duke parakaluar në xhiron e fundit britanikun Cal Crutchloë, për tu pozicionuar  në fund i 4-ti.

Andrea Dovizioso u mjaftua me vendin e 6-shtë ndërkohë që zhgënjeu totalisht Jorge Lorenzo i cili e mbylli garën i 15-ti. Në klasfikimin e përgjithshëm Marquez kryeson me 14 pikë avantazh ndaj Maverick Vinales, 21 ndaj Doviziosos dhe me 22 pikë nga Valentino Rossi.

Top Channel