Not, rikthehet Lochte: E bëj për djalin tim

06/08/2017 00:00

Ryan Lochte rikthehet në pishina. Amerikani u dënua me 10 muaj pezullim nga të gjitha aktivitetet, për shkak të skandalit në Rio de Janeiro, duke dhënë një dëshmi të rreme për një grabitje në një pikë karburanti.

Dy ditë pasi festoi 33-vjetorin e tij të lindjes, Lochte mori sërish pjesë në garë duke siguruar një vend për në finalen e një turneu amerikan në garën e 100 metrave stili shpinë.

“Duhej ta rinisja diku aktivitetin tim. Ky është një hap përpara. Një nga gjërat më të rëndësishme që mësova në vitin e fundit ështe se jam një luftëtar”, tha Lochte.

Gjatë kohës së pezullimit të tij, Lochte mori pjesë edhe në “Dancing with the Stars”, por lajmi më i bukur për të është se, përpara dy muajsh ai u bë babai i vogëlushit Caiden.

“Dua t’i tregoj tim biri se, nëse punon vazhdimisht, do të mund të arrijë gjithçka në jetë. Kjo është arsyeja kryesore që u ktheva në pishina. Çdo gjë e bëj për të. Dua t’i tregoj djalit tim se çfarë bën babai i tij kur është i apasionuar pas diçkaje. Dua të arrij ende rezultate në sportin e notit”, tha më tej Lochte.

Top Channel