Juve “fut ujë”, përforcimi në mbrojtje kthehet në prioritet

06/08/2017 00:00

Një shuplakë ndaj ekipit, të hutuar dhe në mënyrë të përsëritur, dhe një mesazh jo edhe aq i koduar për drejtuesit e klubit: pësojmë gjithmonë të njëjtët gola!

Nëse një ditë pas shitjes së Leonardo Bonuccit te Milani, në ambientin juventin ekzistonte bindja se një përforcim në mbrojtje nuk ishte prioritet, sinjalet që kanë ardhur nga “Wembley”, ku bardhezinjtë morën leksione nga Tottenhami dhe humbën 2-0, po i detyrojnë kampionët e Italisë të rishikojnë planet për të rivlerësuar me vëmendje lëvizjet e ardhshme në merkato.

Allegri, i cili nuk shquhet kurrë të flasë më tym, ka përdorur disi ironinë, por nuk e ka fshehur gjithsesi zhgënjimin për performancat e fundit të mbrojtjes së Juventusit, e cila jo vetëm pësoi nga Kane dhe Eriksen, por numëron tashmë 7 gola të pësuar në 4 ndeshje të zhvilluara me Barcelonën, Romën, PSG-në dhe Tottenhamin.

Një statistikë që ndoshta deri më sot nuk mund të thuhet se përbën alarm, por që mund të japë sinjalet për alarm përpara ndeshjes së parë të rëndësishme të sezonit, pikërisht finalja e Superkupës së Italisë që do të luhet të dielën e ardhshme.

Megjithatë, dy emra janë përmendur aktualisht, e për të riparuar dëmet në prapavijë duket se drejtuesit bardhezinj po mendojnë të përshpejtojnë tratativat për Cancelo dhe Garay. Mbrojtësi i djathtë Cancelo vlerësohet me 25 mln euro nga Valencia, por Juve është e gatshme të ofrojë jo më shumë se 18, e do t’i duhet të mposhtë konkurrencën e Interit.

Top Channel