Bayern ngre Superkupën, mposht Dortmundin me penallti

06/08/2017 00:00

Bayern Munchen ka mposhtur Dortmundin brenda në “Signal Iduna Park”, edhe pse me penallti, për të fituar trofeun e Superkupës për të dytin vit radhazi.

Pas një faze përgatitore për t’u harruar, më e rënda në historinë e klubit bavarez me 14 gola të pësuar, më shumë nga sa kishte pësuar në të gjithë fazën e dytë të Bundesligës së vjetshme, gjigantët e Bavarisë duket se janë rikthyer të jenë vetvetja, e ky është një lajm i mirë për Ancelottin.

Fitorja mbrëmjen e djeshme ishte shumë e rëndësishme, por mbi të gjitha ishte detyrimi për të bërë një performancë të mirë. Tashmë, Bayern numëron trofeun e 6 të Superkupës, duke lënë Dortmundin me një më pak në renditje. Gjatë 90 minutave të zhvilluara në stadiumin e Dortmundit, verdhezinjtë kaluan dy herë në avantazh me anë të Pulisiç dhe Aubameyang, por bavarezët u kundërpërgjigjën po aq herë, fillimisht me Lewandowskin e më pas përfituan nga autogoli i Piszczek.

Një ndeshje kjo për bavarezët, ku mungonin Robben dhe James Rodriguez, e në vend të tyre Ancelotti kishte aktivizuar Ribery e Muller, ndërsa në mesfushë debutuan për herë të parë Rudy dhe Tolisso në një ndeshje zyrtare. Për Dortmundin, ndërkohë, pati mungesa më të shumta, me Gotzen që u ndal për një problem në shpinë, por edhe Schurrle, Reus, Weigl dhe Guerreiro.

Megjithatë, finalja e Superkupës pati edhe një lajm tjetër pozitiv: stadiumi ishte i gjithi i ezauruar, me plot 81.360 shikues të pranishëm, spektakli për të cilët nuk mungoi.

Top Channel