“Scooter”, akuza nga Kievi

06/08/2017 00:00

Banda e famshme gjermane e rrymës “techno”, “Scooter” përballet me pasoja të rëndësishme ligjore pas performancës në një festival në rajonin e Krimesë, pjesë e Ukrainës që u aneksua nga Rusia në vitin 2014.

Lajmi bëhet i ditur nga ambasadori ukrainas në Gjermani, i cili ka folur gjatë në një intervistë të publikuar të shtunën.

Andrij Melnyk, i dërguari i Kievit në Gjermani, tha për gazetën “Funke Mediengruppe” se vendimi i bandës për të hyrë në rajonin e Krimesë në mënyrë “ilegale” gjatë ditës së enjte nuk ishte “thjesht e vetëm një skandal, por një krim me pasoja serioze ligjore”.

Melnyk tha se prokurorët ukrainas kanë nisur procedurat ligjore kundër bandës “Scooter”. “Kjo nuk është ndonjë shkelje e vogël, por nuk krim i rëndë që duhet ndëshkuar”, tha ai për median në fjalë.

Banda gjermane duhej të shfaqej në festivalin e rokut “ZBFest” në Balaklava, ditën e premte. Udhëheqësi i bandës, H.P. Baxxter tha për median gjermane gjatë muajit të kaluar se banda do të shkonte në Krime për të performuar muzikë e jo për t’u përfshirë në politikë.

Edhe pas pretendimeve të ambasadorit dhe procedurave ligjore nga prokurorët ukrainas, banda ende nuk ka reaguar.

Top Channel