Milan kërkon aleatë! Blerja e Costa-s kalon nga… Mendes

05/08/2017 00:00

Në sprintin final për të shtuar elementin e fundit të një merkatoje deri tani shpërthyese, Milan po kërkon si aleat të rëndësishëm, si superagjenti Jorge Mendes. Përfaqësuesi i shumë futbollistëve të njohur mes të cilëve dhe Ronaldos, është thirrur në skenë për të bindur Diego Costa-n që të transferohet në “San Siro” brenda këtij muaji.

Sulmuesi i Chelsea-t që ka patur një seri përplasjesh me trajnerin Conte, nuk do të luajë më në “Stamford Bridge”, por për largimin e tij, “Blutë e Londrës” kërkojnë 60 milionë euro. Diego Costa mbetet në qendër të merkatos kuqezi dhe drejtuesit e Milanit e shohin si një lojtar që do t’i rikthejë në Champions.

Por si mund të finalizohet operacioni, pas disa refuzimeve radhazi të sulmuesit të lindur në Brazil, që luan me kombëtaren spanjolle.

Costa insiston për t’u rikthyer te Atletico Madrid, por bllokada e merkatos deri në janar për spanjollët është kthyer në problem. Superagjenti Mendes pritet të bindë sulmuesin të zgjedhë Milanin. Kështu Diego Costa do të evitonte 6 muaj stop aspak të favorshëm, pikërisht në sezonin e botërorit rus.

Nëse Milan arrin të bindë një tjetër sulmues cilësor në 3 javët e mbetura të gushtit, atëherë Diego Costa do të sfumohet si opsion. Kandidatë të tjerë për merkaton kuqezi janë Belotti, Obameyang dhe Kalinic. Për këtë të fundit Fiorentina kërkon 30 milionë euro.

Top Channel