Milan-Shkëndija ndryshon kalendari, Cuculi: Do japim maksimumin

05/08/2017 00:00

Shorti i rezervoi Shkëndijës së Tetovës një kundërshtar të vështirë, por prestigjioz që rikthen prozhektorët në skuadrën shqiptare. Do të jetë një duel kuqezi mes Milanit dhe Shkëndijës, por në diskutimin për ndeshjet mes tyre, UEFA ka ndërhyrë për të ndryshuar kalendarin.

Qeveria e futbollit kontinental ka vendosur që dueli i parë mes Milanit dhe Shkëndijës të zhvillohet në “San Siro” më datën 17 gusht dhe jo në Shkup siç e përcaktoi shorti. Ky ndryshim u bë për shkak të stadiumit pasi në datën 17 gusht në stadiumin e Shkupit do të luajë skuadra maqedonase e Vardarit ndaj Fenerbahçes.

Ndërkohë, mesfushori Ardian Cuculi dhe trajneri Osmani, kanë premtuar spektakël për tifozët.

“Ne duhet të përgatitemi sa më mirë, që të jemi të gatshëm të presim Milanin, të jemi në nivelin e duhur. Në futboll befasitë ndodhin”, shprehet trajneri i Shkëndijës, Osmani.

“Ndeshemi me një ekip me traditë dhe me emër të madh, siç është Milani. Këtë vit ne donim të bënim një hap me tepër dhe duam të bëjmë një hap më tepër . Ne do të japim maksimumin dhe shpresojmë që edhe fati të jetë me ne e të shohim më pas si do të shkojnë gjërat”, thotë Cuculi, futbollist i Shkëndijës.

Sfida e parë mes Milan dhe Shkëndijës luhet në 17 gusht në “San Siro” ndërsa kthimi në 24 gusht në Shkup.

Top Channel