Mundja shqiptare kërkon vëmendje nga qeveria

04/08/2017 00:00

Mundja shqiptare ka shënuar një rezultat historik në grupmoshën e të rinjve, me Eriglent Prizrenin që u rendit i pesti në kampionatin botëror për të rinj. Por, edhe pse me rezultate premtuese në turneun e zhvilluar në Tampere të Finlandës, drejtuesit kërkojnë më tepër vëmendje nga shteti.

“I kemi dërguar Ministrisë së Arsimit dhe Sportit projekte dhe jemi në pritje të miratimit të ndonjërit prej tyre. Shqipëria duhet të përfaqësohet me ekip të plotë në Ballkaniada, sepse është e vetmja fushë ku ne kemi mundësi të marrim pjesë me ekipe të plota”, tha Martin Biba, president i FSHM-së.

Sipas drejtuesve të Federatës së Mundjes, gati janë edhe projektet për të ardhmen, të cilave u mungon financimi për të garantuar medalje.

“Kërkohet vëmendja e qeverisë shqiptare për rritjen e grantit dhe për mundësinë për këta sportistë që të përfaqësohen me dinjitet. Për këta sportistë që sakrifikojnë gjithçka, e që duhen mbështetur për të marrë pjesë me dinjitet në garat europiane, botërore apo ballkanike. Duhet të vlerësohet mundi dhe djersa e tyre”, tha më tej Martin Biba.

Synimet e talentit të mundjes Eriglent Prizreni janë të thjeshta, por të qarta.

“Të nderoj kombëtaren, trajnerët dhe sportistët, pa harruar familjen dhe të gjithë të tjerët. Të nderoj vendin tim dhe të ngre flamurin sa më lart”, shprehet mundësi Eriglent Prizreni.

Në Botërorin e zhvilluar në Tampere të Finlandës, kombëtarja shqiptare u përfaqësua gjithashtu me Paris Karepin, i cili garoi në stilin e lirë, në peshën 120 kg.

Top Channel