Milan, “halli” i garancive për Biglian e Bonuccin drejt zgjidhjes

04/08/2017 00:00

Një ditë më parë, Milani mposhti 2-0 ekipin rumun Universitatea Craiova për të siguruar avancimin më tej në fazën e “play off”-eve të Europa League, ku shorti i ditës së sotme përcaktoi se kuqezinjtë do të kenë kundërshtar Shkëndijën e Tetovës.

Megjithatë, në Milano duket se punohet jo vetëm për rezultatet në fushë, por edhe për të siguruar gjithçka nevojitet, përfshi këtu garancitë bankare për dy blerjet e fundit Bonucci e Biglia, për të pasur mundësi që të aktivizohen edhe këta të dy në takimin e parë të raundit të ardhshëm në Maqedoni.

Çështja e garancive, edhe pse hasi disi vështirësi në fillim, duket se po shkon drejt zgjidhjes. Dhe dyshimet e para, apo vështirësitë teknike, nisën të zgjidheshin që ditën e djeshme, kohë kur të dy lojtarët iu prezantuan publikut ekzaltues të pranishëm në “San Siro”.

Administratori i deleguar kuqezi, Marco Fassone, në fund të ndeshjes së fituar nga Milani përballë Craiovës, u shpreh:

“Bonucci dhe Biglia do të luajnë shumë shpejt. Zërat që qarkullojnë më bëjnë për të qeshur, pasi asnjë klub italian nuk ka paraqitur garanci deri më sot. Por tifozët duhet të jenë të qetë”.

E pas fjalëve të tij pasuan veprat. Për Biglian duket gjithçka e zgjidhur, e shumë shpejt do të zgjidhet edhe situata e Bonuccit. Për të dy lojtarët, afati përfundimtar është ai i 7 gushtit, kur emrat e Lucas Biglias dhe Leonardo Bonuccit do të duhet të përfshihen në listën e UEFA-s për “play off”-et me Shkëndijën.

Top Channel